Pritet që fokusi kryesor i rrjeteve sociale për këtë vit të jetë përmirësimi dhe shtimi i karakteristikave, të cilat do t’u vijnë në ndihmë bizneseve që operojnë në fushën e tregëtisë elektronike (e-commerce), për t’u ofruar klientëve të tyre potencialë një eksperiencë dhe lundrim sa më të thjeshtë gjatë blerjeve online.

Rezultatet nga bashkëpunimi i brandeve me influencers do të jenë më transparente dhe më të sakta, sepse karakteristikat e reja që do të publikohen do e bëjnë më të lehtë monitorimin dhe verifikimin e shitjeve të gjeneruara nga secili influencer.

Përmirësimi i teknologjisë AR do t’i bëjë më të prekshme dhe do t’i sjellë produktet më afër klientëve.

Gjithashtu, platformat që gjurmojnë veprimet e përdoruesve online do të vazhdojne të zhvillohen dhe si pasojë, reklamat e sponsorizuara do të jenë më të personalizuara dhe më të përshtatshme.

Sa më shumë kalon koha, aq më shumë po humbet besimi tek influencers.

Perceptimi i krijuar gjerësisht është se rekomandimet dhe këshillat që ofrojnë nuk janë të sinqerta dhe se për ta me rëndësi janë përfitimet që kanë nga promovimi i produkteve/shërbimeve të ndryshme.

Gjithsesi, parashikohet që të kemi një rritje të ashtëquajturve “influencers të mirë”, të cilët besojnë në produktet që promovojnë dhe se nuk bëjnë asnjë kompromis me cilësinë e tyre.

TikTok do të jetë platforma e re e preferuar për ta dhe krahas fotografive dhe videove, në portofolin e përmbajtjes që krijojnë, pritet të shtohen dhe podcasts.

Shqetësimet mbi mbrojtjen e të dhënave personale, nismat për ndalimin e lajmeve të rreme e kontrollin e fakteve dhe rritja e ndërgjegjësimit mbi shëndetin mendor do të sjellin ndryshime rrënjësore në mënyrën e përdorimit të rrjeteve sociale. Përdoruesit do të jenë shumë të rezervuar në postimet që shpërndajnë dhe ndërveprimet me postimet do të pakësohen.